Udhëtimi i Lirë

Description

Durrës mirëpriti takimin e ndërmjetëm të projektit CoastCraft- Creative Options And Smart Techniques for Coastal Regions Adapting Flooding Tactics.

Më 29–30 shtator 2026, në Durrës u zhvillua takimi i ndërmjetëm i projektit CoastCraft- Creative Options And Smart Techniques for Coastal Regions Adapting Flooding Tactics pjesë e programit Interreg Europe financuar nga Bashkimi Europian, ku morën pjesë përfaqësues të partnerëve të projektit nga Holanda, Belgjika, Bullgaria, Shqipëria, Spanja, Italia dhe Lituania.

Gjatë ditës së parë, partnerët diskutuan mbi ecurinë e projektit deri në këtë fazë, vlerësuan progresin e arritur dhe planifikuan aktivitetet për periudhën në vijim. Më pas ata zhvilluan një vizitë në terren në zonën e Jubës dhe Katund Rinia për t’u njohur nga afër me punën e Bashkisë Durrës në përmirësimin e infrastrukturës dhe marrjen e masave për parandalimin dhe menaxhimin e përmbytjeve.

Dita e dytë iu kushtua shkëmbimit të përvojave dhe dialogut me aktorët lokalë. Përfaqësuesit nga Bashkia Vlissingen e Holandës, partneri kryesor i projektit (Lead Partner), AG Oostende e Belgjikës, Bashkimi i Autoriteteve Vendore të Detit të Zi të Bullgarisë, Drejtoria e Përgjithshme për Planifikimin Hapësinor dhe Arkitekturën e Spanjës, Provinca e Livornos në Itali, si dhe Administrata e Zonave të Mbrojtura e Lituanisë shkëmbyen eksperiencat me aktorët lokal.

Takimi bëri të mundur shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin mbi sfidat dhe praktikat e mira në menaxhimin e zonave bregdetare dhe përmirësimin e infrastrukturës lokale, me fokus të veçantë te parandalimi dhe menaxhimi i përmbytjeve.

Në aktivitet kontribuuan edhe aktorë lokalë nga institucione dhe sektorë të ndryshëm, përfshirë:

  • Bashkia Durrës:Andri Cerri dhe Serdi Maksuti , nga strukturat e emergjencave civile dhe zhvillimit rural;
  • Këshilli i Qarkut Durrës: Maringlen Kurtaj;
  • Ujësjellës Kanalizime: Prof.Ndriçim Shani;
  • Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës: Prof.Dr. Osman Metalla;
  • Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave Shqiptare: Eneida Elezi;
  • Media: Valdet Qyrfyçi;
  • Shoqëria civile: Klaudio Hyseni.

Përmes këtij shkëmbimi, pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin më nga afër me realitetin dhe sfidat lokale në Durrës, si dhe të ndanin përvojat dhe qasjet e vendeve dhe institucioneve që përfaqësojnë.

Vizita studimore në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura shënoi aktivitetin përmbyllës të takimit, duke u ofruar partnerëve një mundësi konkrete për t’u njohur me infrastrukturën dhe praktikat vendore në menaxhimin e ujërave.

Takimi i ndërmjetëm në Durrës përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për sfidat me të cilat përballen zonat bregdetare.

Projekti COASTCRAFT bashkon autoritetet lokale dhe rajonale dhe agjencitë bregdetare në 5 dete evropiane. Ata punojnë së bashku për të zhvilluar taktika më krijuese dhe më të zgjuara për zhvillimin bregdetar. Ne ndërtojmë mbi Politikën e Kohezionit të BE-së, Politikën e Integruar Detare, Bauhaus-in e Ri Evropian dhe Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane për të krijuar taktika të zgjuara bregdetare dhe për të ndihmuar në drejtimin e BE-së drejt një shoqërie rezistente ndaj klimës deri në vitin 2050.

Click here për më tepër informacion rreth projektit.

en_GB