Udhëtimi i Lirë

Përshkrimi

Sot u zhvillua një takim informues në kuadër të hapjes së thirrjes për aplikim për mikrogrante për projekte klimatike të drejtuara nga të rinjtë, në kuadër të programit ndërkombëtar Fondi për Veprimin Klimatik të të Rinjve (Youth Climate Action Fund), një iniciativë globale e themeluar nga Bloomberg Philanthropies dhe e zbatuar në partneritet me Bloomberg Center for Public Innovation në Johns Hopkins University, C40 Cities Climate Leadership Group, United Cities and Local Governments (UCLG) dhe Rockefeller Philanthropy Advisors.

Gjatë takimit, pjesëmarrësit u njohën më nga afër me qëllimin dhe objektivat e kësaj thirrjeje, si dhe me mundësitë që ajo ofron për të rinjtë që dëshirojnë të ndërmarrin iniciativa konkrete në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe përballimit të ndryshimeve klimatike.

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua shpjegimit të procesit të aplikimit, kritereve që duhet të përmbushin projektet dhe hapave që duhen ndjekur për përgatitjen dhe dorëzimin e një aplikimi. Pjesëmarrësit patën mundësinë të merrnin informacion më të detajuar dhe të njiheshin me kërkesat e thirrjes, për të zhvilluar ide sa më të qarta dhe të përshtatshme për projekte me ndikim pozitiv në komunitet, në përputhje me prioritetet e Bashkisë Durrës për klimën, si mbjellja e sipërfaqeve kodrinore me fidanë pishash në zonat e prekura nga rrëshqitjet e dherave, ruajtja dhe përmirësimi i mbulesës bimore natyrore dhe artificiale në qendrat urbane, përfshirë landfillin e mbetjeve EC OLAND, si dhe ndërtimi i shtigjeve për biçikleta dhe promovimi i përdorimit të tyre në zonat urbane të qytetit dhe në zonat turistike.

Youth Climate Action Fund synon të mbështesë angazhimin e të rinjve në veprime konkrete për klimën, duke u krijuar hapësirë që idetë e tyre të shndërrohen në iniciativa që kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit mjedisor, promovimin e praktikave të qëndrueshme dhe përmirësimin e komuniteteve ku ata jetojnë.

Përmes kësaj thirrjeje, të rinjtë ftohen të bëhen pjesë aktive e ndryshimit, duke sjellë ide inovative dhe zgjidhje lokale ndaj sfidave mjedisore dhe klimatike.

Të rinjtë janë një forcë e rëndësishme për ndryshimin. Çdo ide e mirë mund të jetë hapi i parë drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të qëndrueshme!

sq