Përshkrimi
Green Workshop-i i parë u zhvillua në Durrës, duke ndërthurur pjesën teorike me atë praktike. Aktiviteti mblodhi partnerët e projektit nga Italy, përfaqësues të Bashkisë së Conversano si lead partner i projektit, GAL Molise Rurale, si edhe përfaqësues të Bashkisë Durrës dhe shoqatës “Udhëtim i Lirë”. Workshop-i u ndoq online edhe nga partnerët e Nikšić në Montenegro dhe Orto Botanico del Salento, duke krijuar një hapësirë bashkëpunimi dhe shkëmbimi eksperiencash mbi zhvillimin e fermave urbane dhe qëndrueshmërinë.
Gjatë pjesës së parë të ditës, stakeholderë dhe ekspertë të shoqatës, Erni Koçani, Florent Sinka dhe Silvi Jano, dhanë një panoramë teorike, të shoqëruar me shembuj konkretë, mbi konceptin e Fermës Urbane: elementët kryesorë, përfshirjen e komunitetit, rolin e pushtetit qendror dhe vendor, si edhe ndikimin në zhvillimin e qëndrueshëm urban.
Për ta parë më konkretisht këtë koncept, dita vijoi me një vizitë në shkollën e mesme profesionale “Charles Telford Erikson” në Golem. Pjesëmarrësit patën mundësinë të shohin nga afër laboratorët ku specialistët e rinj marrin njohuri të vazhdueshme mbi modelet e reja të zhvillimit të bujqësisë, biodiversitetin, si dhe zhvillimin rural dhe urban.
Shkolla që do të ketë mundësinë e pilotimit të Fermës Urbane në kuadër të projektit “EDEN” do të jetë shkolla 9-vjeçare “14 Nëntori”, bazuar në analizën e realizuar nga eksperti i shoqatës. Partnerët vizituan nga afër ambientet ku do të pilotohet projekti dhe diskutuan mbi ide konkrete për mënyrën e organizimit të fermës urbane.
Dita u mbyll me një vizitë në shkollën 9-vjeçare “Jusuf Puka”, e cila është kthyer në një shembull të hapësirave të gjelbra në zonat urbane, pasi shoqata jonë prej vitesh ka kontribuar në ideimin dhe zbatimin me sukses të kësaj iniciative.
Ky aktivitet u ndoq gjithashtu nga përfaqësues të Këshillit të Qarkut Durrës, shkollave 9-vjeçare të qytetit, organizatave lokale, si dhe përfaqësues të universitetit dhe studentë.
Ndiqni faqen tonë të internetit dhe mediat sociale për përditësime mbi EDEN!