Udhëtimi i Lirë

Përshkrimi

Në kuadër të projektit “Commons in Practice” si nje follow up i tij në Durrës, Shqipëri u zhvilluan 4 vizita me nxënësit e klasave të 11 (njëmbëdhjeta) të shkollës “Ibrahim Kodra” në Muzeun e Hekurudhës Shqiptare. Pjesëmarrëse në këto takime ishin edhe mësueset kujdestare të klasave përkatëse. Gjatë vizitave pjesëmarrësit patën mundësi të njiheshin nga afër me historinë e Hekurudhës Shqiptare. Ata u njohën edhe me faktin se ky Muze pritet të hapet për publikun e gjerë në Nëntor në kuadër të 75 vjetorit të Hekurudhës Shqiptare Përfaqësuesja e institucionit, znj. Eneida Elezi tregoi në detaje të gjithë zhvillimin e transportit hekurudhor në Shqipëri përgjatë këtyre viteve si dhe planet dhe projektet që pritet të zbatohen në vitet në vijim.

Qëllimi i takimeve ishte njohja e të rinjve me trashëgiminë dhe zhvillimin e transportit hekurudhor ndër vite. Mënyra e realizimit të takimeve nxiste pjesëmarrjen aktive të të rinjve si dhe krijonte mundësi për ndërveprim. Në të njëjtën kohë shpjegimi i historisë së çdo objekti që ndodhej në muze i dha mundësinë të rinjve të drejtonin pyetje të drejtpërdrejta të cilat morën përgjigje nga përfaqësuesja e HSH. Të nxitur nga znj. Eneida Elezi të rinjtë ndanë me njëri –tjetrin ide për pasurimin e muzeut dhe u la si detyrë që brenda javës pasardhëse ti dorëzonin të përshkruara në format A4 ose A3 projekt propozimet e tyre për realizimin e ideve. Një pjesë e nxënësve zgjodhën të punonin në grup ashtu siç kishte të tjerë që preferuan të përgatisnin individualisht punën e tyre.

Përfaqësues nga shoqata “Udhëtim i Lirë – Liberi di Viaggiare” ju vunë në dispozicion nxënësve praktikat më të mira nga vendet pjesëmarrëse në projekt si një mënyrë udhëzuese për realizimin e punëve të tyre. Në të njëjtën kohë nxënësit morën më shumë informacion lidhur me aktivitetet që janë zhvilluar në kuadër të “Commons in Practice” nga ekspertja e projektit znj. Miranda Mansaku. Ata u njohën me mundësitë e përfshirjes së të rinjve në aktivitetet e shoqatës në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Përfaqësuesit e UiL-LdV i ftuan të rinjtë të japin idetë e tyre për zhvillimin e nismave në fushat në të cilat shoqata punon. Të rinjtë pjesëmarrës në takimet e zhvilluara do të vijojnë gjithashtu të jenë pjesë e aktiviteteve që Shoqata Udhëtim i Lirë – Liberi di Viaggiare do të zhvillojë.

Gjatë vizitave të rinjtë u nxitën gjithashtu të tregonin edhe pritshmëritë e tyre për transportin hekurudhor i cili pritet të konkretizohet në vitet në vijim. Atyre ju kërkua një mendim si përdorues të drejtpërdrejtë të këtij shërbimi. Nisur nga informacionet që morën nxënësit filluan të krahasonin shërbimin hekurudhor në vendet jashtë Shqipërisë me shërbimin hekurudhor që do të zhvillohej në Shqipëri. Në fund ata u shfaqën entuziastë dhe optimist për zhvillimin e HSH.

sq