Guidë turistike për monumentet e Durrësit, përgatiten 64 të rinj

64 të rinj, studentë dhe të papunë nga familje të margjinalizuara në periferi të qytetit janë trajnuar për afro tre muaj në kuadër të projektit “Youth Guide for Durrës”.

Drejtuesja e projektit, Mira Mansaku, tha se “Programi Rajonal për Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor që financohet nga Bashkimi Europian e që zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe bashkia e Durrësit mundësoi fillimisht një trajnim 5-ditor në të cilin u trajtuan një sërë  temash si: shkrimi dhe interpretimi i guidës, komunikimi me turistët, krijimi i itinerareve të qëndrueshme, realizimi i fotove dhe videove profesionale dhe siguria e turistëve. Në këtë formë të rinjtë e ndarë në tre grupe morën nga trajnuesit informacionet e nevojshme për realizimin e guidave në praktikë”.

Përveç siteve arkeologjike në qytetin e Durrësit të rinjtë zhvilluan ture studimore në Kepin e Rodonit, Ishëm, Shën Vlash dhe Porto Romano, ku u njohën me atraksione të tjera turistike që tërheqin vëmendjen e turistëve si: Kalaja e Skënderbeut, Kisha e Rodonit, Kalaja e Ishmit, Vendvarrimi i Ibrahim Kodrës, si dhe muret rrethuese antike në Porto Romano, shtoi drejtorja e shoqatës “Udhëtim i lirë – Liberi di Viaggiare”.

Pas përfundimit të trajnimit pjesëmarrësit zhvilluan intershipe në disa operatorë turistik të qytetit, si hotele, restorante, agjenci turistike dhe disa institucione e monumente kulturore të qytetit si: Muzeu Etnografik, Muzeu Arkeologjik dhe Amfiteatri antik.

“Të rinjtë po vijojnë punën për përgatitjen e spoteve dhe Guidës Turistike mbi bazën e përshtypjeve dhe shënimeve të mbledhura gjatë vizitave në grupe”, përfundoi Miranda Mansaku.

Për më tepër informacion klikoni këtu
 

sq
en_GB sq