Përshkrimi
Shoqata “Udhëtim i Lirë – Liberi di Viaggiare” zhvilloi sot takimin përmbyllës të projektit “Kompostimi në fermë – Për zbutjen e ndryshimeve klimaterike”, që financohet nga ambasada Bullgare në vendin tonë dhe ka si qëllim përmirësimin e ciklit të menaxhimit të mbetjeve, duke kompostuar mbetjet organike në shkollat dhe fermat e qarkut Durrës.
Në këtë takim morën pjesë ambasadori bullgar, Momtchill Raytchevski, Atashe Maria Peeva, koordinatore e projektit dhe Drejtore Ekzekutive e shoqatës Miranda Mansaku, eksperti i projektit Prof. Dr. Shpend Shahini, përfaqësues të fermave dhe të shkollave të qytetit të Durrësit, pjesëmarrëse në projekt.
Gjatë fjalës së tij, ambasadori Raytchevski e konsideroi shumë të dashur këtë projekt për vetë qëllimin që ka. “Ky projekt për mua është shumë i dashur, sepse ka si qëllim krijimin e një bote më të gjelbër.”, tha ai. Koordinatorja Mansaku analizoi para të pranishmëve punën e bërë pëgjatë një viti në kuadër të projektit “Kompostimi në fermë – Për zbutjen e ndryshimeve klimaterike”, i cili ka përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë 5 ferma dhe 4 shkolla të mesme të qytetit.
“Gjatë këtij viti, ne kemi zhvilluar disa aktivitete që megjithëse pandemia e bëri të vështirë por jo të pamundur. U trajnuan 72 të rinj në lidhje me procesin e kompostimit dhe një informacion më të gjërë në lidhje me mjedisin dhe ndryshimet klimaterike në botë. 5 fermerë u mbështetën nga eksperti Shpend Shahini për procesin e kompostimit dhe më pas përdorimin e këtij plehu në kushtet e serës, dhe vendosja e koshave të diferencuar në katër shkolla të mesme të Durrësit, në shkollën “Ibrahim Kodra”, në shkollën “Migjeni”, në shkollën “Mihal Ekonomi” dhe në kolegjin “Eneida”.” -tha ajo.
Marrëveshja për projektin “Kompostimi në fermë – Për zbutjen e ndryshimeve klimaterike”, mes shoqatës “Udhëtimi i Lirë” dhe ambasadës bullgare në Tiranë u nënshkrua në janarin e vitit 2020.