Përshkrimi i trajnimit
Shoqata “Udhëtimi i Lirë – Liberi di Viggiare” aplikoi në Qershor 2019 në programin “Ndihma Zyrtare për Zhvillim” të Ambasadës së Republikës Bullgare në Shqipëri. Projekti i paraqitur ishte një nga fituesit e përzgjedhur nga komisioni i vlerësimit.
Projekti “Composting on farm – For Mitigation of Climate Changes” do të zgjasë 12 muaj (1 vit) dhe do të përfshijë në mënyrë të drejtëpërdrejtë 5 ferma dhe 4 shkolla të mesme të qytetit. Gjatë kësaj periudhe janë planifikuar një sërë aktivitetesh duke përfshirë implementimin e protokollit të kompostimit në ferma, trajnimin e qeverisë së nxënësve të shkollave pjesëmarrëse për problemet dhe çështjet mjedisore dhe ngritjen e Eko Klubeve, informimin e të rinjve dhe fermerëve për rëndësinë e kompostimit dhe përdorimit të biomasës. Fermerët do të marrin njohuri profesionale për teknikat e reja të kompostimit dhe mundësitë e përdorimit të tij si pjesë e ekonomisë qarkulluese në fermat e tyre.
Të rinjtë do të kenë mundësi ta shohin nga afër gjithë proçesin e kompostimit gjatë vizitave që do të zhvillojnë në ferma. Në këtë mënyrë të rinjtë do të krijojnë një lidhje më të ngushtë me mjedisin. Gjithashtu do të ideojnë dhe organizojnë aktivitete mjedisore në komunitet.
Zhvillimet dhe aktivitetet në kuadër të projektit “Composting on farm – For Mitigation of Climate Changes” do të pasqyrohen në web-in e Shoqatës.