64 të rinj, studentë dhe të papunë nga familje të margjinalizuara në periferi të qytetit janë trajnuar për afro tre muaj në kuadër të projektit “Youth Guide for Durrës”.
Drejtuesja e projektit, Mira Mansaku, tha se “Programi Rajonal për Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor që financohet nga Bashkimi Europian e që zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe bashkia e Durrësit mundësoi fillimisht një trajnim 5-ditor në të cilin u trajtuan një sërë temash si: shkrimi dhe interpretimi i guidës, komunikimi me turistët, krijimi i itinerareve të qëndrueshme, realizimi i fotove dhe videove profesionale dhe siguria e turistëve. Në këtë formë të rinjtë e ndarë në tre grupe morën nga trajnuesit informacionet e nevojshme për realizimin e guidave në praktikë”.
Përveç siteve arkeologjike në qytetin e Durrësit të rinjtë zhvilluan ture studimore në Kepin e Rodonit, Ishëm, Shën Vlash dhe Porto Romano, ku u njohën me atraksione të tjera turistike që tërheqin vëmendjen e turistëve si: Kalaja e Skënderbeut, Kisha e Rodonit, Kalaja e Ishmit, Vendvarrimi i Ibrahim Kodrës, si dhe muret rrethuese antike në Porto Romano, shtoi drejtorja e shoqatës “Udhëtim i lirë – Liberi di Viaggiare”.
Pas përfundimit të trajnimit pjesëmarrësit zhvilluan intershipe në disa operatorë turistik të qytetit, si hotele, restorante, agjenci turistike dhe disa institucione e monumente kulturore të qytetit si: Muzeu Etnografik, Muzeu Arkeologjik dhe Amfiteatri antik.
“Të rinjtë po vijojnë punën për përgatitjen e spoteve dhe Guidës Turistike mbi bazën e përshtypjeve dhe shënimeve të mbledhura gjatë vizitave në grupe”, përfundoi Miranda Mansaku.
Për më tepër informacion klikoni këtu