Përshkrimi
Shoqata “Udhëtim i Lirë – Liberi di Viaggiare” njofton zyrtarisht nisjen e projektit të saj më të ri, “Time 4 Rin-Act”, i cili financohet nga Ambasada Bullgare dhe do të zbatohet në qytetin e Durrësit.
Në qendër të projektit qëndron implementimi i një sistemi modern të paneleve diellore në shkollën “Jusuf Puka”. Ky sistem do t’i mundësojë shkollës të mbulojë rreth 100% të nevojave të saj për energji elektrike, duke reduktuar ndjeshëm kostot dhe emetimet e karbonit.
Përveç përfitimeve ekonomike dhe mjedisore, ky investim ka një vlerë të rëndësishme edukative, pasi u ofron nxënësve mundësinë të mësojnë nga afër mbi funksionimin e energjisë diellore dhe rëndësinë e përdorimit të energjive të gjelbra.
Projekti përfshin gjithashtu përmirësimin e serës ekzistuese në oborrin e shkollës, e cila do të shërbejë si model praktik i bujqësisë së qëndrueshme dhe si hapësirë për mësim praktik mbi kultivimin ekologjik.
Gjithashtu, parashikohet krijimi dhe fuqizimi i Ekoklubit të shkollës, për të nxitur aktivizmin rinor dhe edukimin mjedisor përmes nismave konkrete që përfshijnë komunitetin lokal.
Nëpërmjet “Time 4 Rin-Act”, Durrësi synon të bëhet një shembull bashkëpunimi ndërmjet shkollave, komunitetit dhe sektorit privat, në funksion të një të ardhmeje më të gjelbër, më të qëndrueshme dhe më të ndërgjegjshme.