Përshkrimi
Në kuadër të projektit “Time 4 Rin-Act”, të zbatuar nga Shoqata “Udhëtim i Lirë – Liberi di Viaggiare” me mbështetjen e Ambasadës Bullgare, gjatë muajit Gusht 2025 në shkollën “Jusuf Puka” u instalua një sistem diellor fotovoltaik, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përdorimit të energjeve të pastra dhe të qëndrueshme.
Ky sistem do t’i mundësojë shkollës të mbulojë rreth 100% të nevojave për energji elektrike, duke ulur ndjeshëm kostot e konsumit dhe emetimet e karbonit. Përveç përfitimeve ekonomike dhe mjedisore, investimi ka një vlerë të lartë edukative, pasi i ofron nxënësve mundësinë të mësojnë nga afër mbi funksionimin e energjisë diellore, roli i saj në mbrojtjen e mjedisit dhe rëndësinë e kalimit drejt energjeve të gjelbra.
Instalimi i paneleve diellore përfaqëson një hap konkret dhe vizionar në përpjekjet për ta kthyer shkollën “Jusuf Puka” në një model të transformimit të gjelbër. Përveç funksionit si burim energjie, sistemi do të shërbejë edhe si mjet praktik mësimor, që ndihmon nxënësit të kuptojnë ndikimin pozitiv të teknologjive të qëndrueshme në jetën e përditshme dhe në të ardhmen e komunitetit të tyre.
Ky investim është pjesë e nismave të projektit “Time 4 Rin-Act”, që synon promovimin e inovacionit mjedisor në shkolla dhe forcimin e kulturës së energjisë së gjelbër në qytetin e Durrësit.