Përshkrimi
Kampi Rinor Ndërfetar “Seeding the Peace”, i mbajtur në fillim të gushtit në Hagë, Hollandë, mblodhi së bashku 20 pjesëmarrës të moshës 14-17 vjeç dhe gjashtë moderatorë të rinj (19-32) nga shtete të ndryshme të Europës për një përvojë të paharrueshme pesë-ditore. Qëllimi i kampit ishte të nxiste miqësitë ndërkulturore, të eksploronte dialogun ndërfetar dhe të promovonte drejtësinë mjedisore.
Ai u mbështet nga URI Europe dhe u bashkëorganizua nga 4 organizata (CC), pjesë e rrjetit URI në Evropë: Udhëtim i Lirë – Liberi di Viaggiare nga Shqipëria, BRIDGES nga Bullgaria, Voem nga Belgjika dhe Colorful Segbroek nga Holanda, të cilët organizuan kampin në qytetin e paqes dhe drejtësisë, Hagë.
Udhëtim i Lirë – Liberi di Viaggiare nga Shqipëria mori pjesë me një grup prej 10 anëtarësh. 7 të rinj nga përfaqësues të 3 besimeve fetare më të mëdha në Shqipëri, drejtueset e të rinjve Marvina Mansaku dhe Ina Lushka dhe drejtore e shoqatës, Miranda Mansaku. Shqipëria njihet për bashkëjetesën fetare, gjë të cilën të rinjt ua shprehën bahskëmoshatarëve të tyre gjatë aktiviteteve dhe workshop-eve të organizuara gjatë kampit.
Pjesmarrja në Kampin Rinor Ndërfetar “Seeding the Peace” ishte një përvojë frymëzuese dhe transformuese. Gjatë atyre pesë ditëve, të rinjtë mësuan shumë për fetë dhe kulturat e tjera përmes të gjitha aktiviteteve dhe seminareve që kampi kishte për të ofruar. Një nga pikat kryesore ishte vizita në Pallatin e Paqes, ku u njohën me rolin e tij në drejtësinë ndërkombëtare.
Dita 1: Ndërtimi i miqësive
Kampi filloi me një hapje zyrtare në manastirin Broeders van Sint-Jan Den Haag në qendër të Hagës, ku u akomoduan pjesëmarrës nga Shqipëria, Bullgaria, Belgjika dhe Hollanda. Të rinjtë filluan të njiheshin dhe bashkoheshin me njëri – tjetrin me ndihmën e lojërave të ndryshme. Drejtuesit e të rinjve prezantuan programin e kampit, duke i ndarë të gjithë në grupe sipas elementeve – ajri, uji, zjarri dhe toka. Këto grupe ndërroheshin gjatë ditëve për të motivuar bashkëmoshatarët e tyre, për të ruajtur rendin, për mbajtjen pastër të ambjenteve të përbashkëta dhe për të dokumentuar përvojat e tyre.
Dita 2: Krijimi i Kulturave të Dialogut Ndërfetar
Në ditën e dytë, pjesëmarrësit vizituan Pallatin e Paqes ku u njohën me historinë dhe rëndësinë e tij në promovimin e paqes dhe drejtësisë ndërkombëtare. Vizita u pasua nga një seminar për dialogun ndërfetar mbi Rregullin e Artë: “Trajto të tjerët ashtu siç dëshiron të të trajtojnë”. Nëpërmjet lojërave interaktive, pjesëmarrësit thelluan të kuptuarit e tyre për prejardhjen kulturore dhe fetare të njëri-tjetrit, duke krijuar terrenin për diskutime kuptimplote ndërfetare.
Dita 3: Drejtësia Mjedisore dhe Sociale
Dita e tretë ishte një përzierje e eksplorimit kulturor dhe edukimit mjedisor. Pjesëmarrësit vizituan një tempull hindu (New Mandir) ku fituan njohuri mbi traditat e pasura kulturore dhe shpirtërore të hinduizmit. Kjo u pasua nga një seminar mjedisor ku ata diskutuan rëndësinë e qëndrueshmërisë dhe hapat praktikë që mund të ndërmarrin për të mbrojtur mjedisin. Folësi i ftuar në workshop-in për drejtësinë mjedisore së bashku me moderatorët e rinj ishte Dimitar Borumov. Dita përfundoi me një aktivitet vetë-reflektimi në të cilin pjesëmarrësit shkruanin kartolina për veten e tyre të së ardhmes duke reflektuar mbi qëllimet dhe aspiratat e tyre.
Dita 4: Paqja dhe Artet
Një ditë plot energji, pjesëmarrësit eksploruan Hagën, vizituan monumentet e famshme dhe shijuan një aktivitet argëtues në plazh. Sesioni i pasdites u drejtua nga Lartësia e Tij, Princi Boris i Bullgarisë, i cili erdhi për të mbështetur dhe kontribuar në idenë e dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar mes të rinjve. Ai mbajti një seminar “Mbjellja e kreativitetit”.
Ideja e paqes dhe e drejtësisë mjedisore u përkthye bukur në një vepër arti të realizuar nga të gjithë pjesëmarrësit. Dita përfundoi me një mbrëmje të gjallë shkëmbimi kulturor ku pjesëmarrësit ndanë kulturat e tyre përmes muzikës, vallëzimit dhe ushqimit, duke krijuar kujtime të qëndrueshme dhe duke thelluar lidhjet e tyre.