Udhëtimi i Lirë

Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në vendin tonë, Momtchil Raytchevski, vizitoi sot në mesditë Qendrën Rinore Multifunksionale “Udhëtim i Lirë” në qytetin e Durrësit.

Në takimin me drejtues të shoqatës dhe ekspertin e projektit Prof. Dok. Shpend Shahini, fermerët dhe përfaqësues të shkollave pjesëmarrëse të projektit, ai u interesua veçanërisht për punën që bëhet në drejtim të përfshirjes së të rinjve në zgjidhjen e problematikave mjedisore dhe bujqësisë. Ambasadori ndërmjet të tjerave uroi që ky shembull të ndiqet edhe nga ferma e sipërmarrje të tjera bujqësore.

Miranda Mansaku, Drejtore Ekzekutive i informoi vizitorët mbi projektin “Composting on farm – For Mitigation of Climate Changes”, i cili financohet nga Ambaada e Bullgarisë në Tiranë në kuadër të programit “Ndihma zyrtare për zhvillim” dhe ka si qëllim përmirësimin e ciklit të menaxhimit të mbetjeve, duke kompostuar mbetjet organike në shkollat dhe fermat e Qarkut Durrës. Sipas Mansakut, projekti do të zgjasë 12 muaj dhe do të përfshijë në mënyrë të drejtpërdrejtë 5 ferma dhe 4 shkolla të mesme të qytetit.

“Gjatë kësaj periudhe janë planifikuar një sërë aktivitetesh duke përfshirë implementimin e protokollit të kompostimit në ferma, trajnimin e qeverisë së nxënësve të shkollave pjesëmarrëse për problemet dhe çështjet mjedisore dhe ngritjen e Eko Klubeve, informimin e të rinjve dhe fermerëve për rëndësinë e kompostimit dhe përdorimit të biomasës”,– tha më tej ajo. Fermerët do të marrin njohuri profesionale për teknikat e reja të kompostimit dhe mundësitë e përdorimit të tij si pjesë e ekonomisë qarkulluese në fermat e tyre.

sq